Shkodra Universal Sounds do të sjellë një mozaik muzikor në qytetin e Shkodrës, i cili përfshin: “Shkodra Jazz Festival”, “Rrok Academy” dhe “Shkodra Sound”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit shkroi në një postim në rrjetet sociale se këto aktivitete do të shtrihen prej 12 gushtit e deri më datën 1 shtator. Shkodra Jazz Festival vjen në vitin e tij të 15-të, ndërsa ruan me fanatizëm traditën dhe jetëgjatësinë ndër vite.
“Përjetoni një atmosferë ndryshe, me tinguj unikë në veriun e Shqipërisë”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Aktivitetet muzikore do të zhvillohen në pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para bashkisë apo oborri i Muzeut Historik të Shkodrës (Banesa Oso Kuka). Ky aktivitet mbështetet nga Bashkia Shkodër, MEKI si dhe ka bashkëpunëtor të saj Institutin Italian të Kulturës Tiranë./ata