Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta foli sot për zgjedhjet në bashkinë e Himarës dhe fitoren e Vangjel Tavos.
Në një konferencë për shtyp, i pyetur nëse kishte një mesazh për Tavon pas fitores së bashkisë së Himarës, Meta tha se, “unë i kam pas dhënë një mesazh dikur kryetarit të bashkisë së Himarës, i cili është në burg, sepse kam pasur marrëdhënie korrekte me të. I kam thënë, ki kujdes, se ky të merr më qafë. I kam thënë dhe shumë të tjerëve për Edi Ramën dhe për mungesën e përgjegjësisë së tyre”.
Në fjalën e tij në konferencën për media, Meta deklaroi gjithashtu se, Bashkia e Tiranës vijon të paguajë incineratorin e Tiranës ndonëse, sipas tij, nuk ekziston. Meta u shpreh se, falimentimi i pushtetit vendor është vetë falimentimi i reformës administrativo-territoriale.
“Falimentimi i pushtetit vendor është vetë falimentimi i reformës administrativo-territoriale që bashkë me reformën në drejtësi ishin gjoja dy nga sukseset e rilindjes por janë dy kryedështimet e saj më të mëdha që po i kushtojnë qytetarëve sa i takon mungesës së shërbimeve dhe drejtësisë”, tha Meta./ata