Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot nga Berati se, “nga jugu në veri, po fryn flladi i fitores, po fryn era e ndryshimit, po fryn rikthimi i demokracisë dhe rivendosja e pluralizmit”.

 

Në takimin e zhvilluar me banorë të Beratit, ku u prezantua kandidati koalicionit “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit, Zija Ismaili, Berisha theksoi se, “ftoj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë, më 14 maj të votojnë për veten e tyre. Vota  për veten e tyre, në bindjen time më absolute, është ajo për ndryshimin e Beratit dhe Shqipërisë”.

 

“Është për ju ajo votë është për qytetarin, ajo votë sepse votoni për rivendosjen e pluralizmit, votoni kundër pushtetit të të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, i cili edhe engjëll po të jetë, shndërrohet në djall, pa le kur ka rastisur djall imagjinoni se çfarë bëhet, siç është Edi Rama”, theksoi Berisha.

 

Berisha u shpreh se, “vota për Zija Ismailin është votë për dinjitetin tuaj, për liritë tuaja”.

 

“Sot ne jetojmë në një regjim ku çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu. Ky është tipari më thelbësor i të gjitha diktaturave. Ky njeri sot nuk ka kampe përqendrimi, skuadra pushkatimi, por ka në dorë darën e tmerrshme të varfërimit të shqiptarëve, duke i vjedhur ata dhe duke i përzënë çdo natë, ditë, javë e muaj nga vendi i tyre”, tha Berisha.

 

Berisha vuri në dukje se, “në fshatrat e Beratit as nuk bëhet fjalë për furnizim me ujë”.

 

“Ndryshimi është në duart tuaja, votoni Zija Ismailin. Po kështu bizneset, Zija Ismaili u zotua këtu për ulje të ndjeshme të tarifave dhe taksave vendore. Unë i garantoj bizneset se programi ynë i taksave të ulëta, mbetet linjë themelore e jona dhe se energjia që është shndërruar sot në një kamzhik për to, do të zbresë nga 220 në 6 lekë kilovatin, ashtu siç e kanë pasur përpara. E bazoj këtë sepse ajo strategji e ndërtimit të HEC-eve e ka përmbysur situatën e energjisë. Shqipëria prej 2 vitesh prodhon 2 miliardë kilovat orë më shumë se konsumi”.