Kryetari i grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në aktivitetin me rastin e 60 vietorit të lindjes së “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari të organizuar nga grupimi Dhjetori ’90.

 

“Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit, njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të lirisë të kombit tonë. Njeriut që me guximin e tij, ia doli të kontribuojë më shumë se kushdo tjetër, në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve, ndërrimin e epokave në Shqipëri. Ditën që e përcollëm në banesën e fundit, nuk vajtuam dhe brohoritëm: Azem, ti je gjallë! Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë”, tha Berisha.

 

“Takimin tim të parë me Azem Hajdarin e kam pasur më 9 dhjetor 1990. Me Besnik Mustafën, shkuam të bashkohemi me studentët dhe në Rrugën e Elbasanit, një masë prej 700-800 studentë protestonin. Mbi ta ngrihej si lider një djalë, student, bashkëmoshatar me ta, ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: Poshtë diktatura, poshtë dinastia, e duam Shqipërinë si gjithë Europën. Për ne që sodisnim, ai ishte një mbinjeri, një legjendë, ai po bënte rrugëve të Tiranës, atë që nuk e kishte bërë kush në një gjysmëshekull”, theksoi Berisha.

 

“Shqipëria në vitet 90 nuk ishte e qetë. Shkodra e nisi me demonstratën për heqjen e busteve të satanëve, Kavaja skuqi rrugët e saj me gjakun e të rinjve kundër diktaturës. Heronjtë e 2 korrikut e përmbysën Murin e Berlinit në Tiranë, por shoqëria vazhdonte letargjinë e saj. Nuk i mbështeti, nuk i përkrahu. Dhe ata regjimi i nisi me procesion ushtarak jashtë vendit”, u shpreh ai.

 

“Kështu që pas saj, në Shqipëri, por jo vetëm, në Europë dhe më gjerë, predominoi mendimi se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut, Shqipëria do mbetej kështjella e socializmit, siç e cilësonte regjimi”, shtoi më tej Berisha.

 

“E përmend shpesh dhe prapë do e përmend, në një intervistë që jep Verner Daum, ish-ambasador gjerman në atë kohë, një mik i madh i kombit shqiptar, që bëri gjithçka për suksesin e 2 korrikut, ai dëshmon se qeveritë tona, kancelaritë tona, nuk ishin dakord me trazimin e Shqipërisë. Fatalisht kishin pranuar specifikat e paraqitura nga regjimi komunist si një ndëshkim për shqiptarët, por lavdi Zotit, nuk kishte këtë mendim Azem Hajdari, nuk kishin këtë mendim bashkëluftëtarët e tij”, tha Berisha.

 

“Problemi është se kush do dilte në shesh të mejdanit dhe ky ishte Azem Hajdari me një grup studentësh, i cili u ngrit dhe i tha diktatorit se kemi dalë në këtë betejë për fatet e kombit. Nga ai moment, ai mbeti një udhëheqës i pavdekshëm i lirisë së shqiptarëve”, nënvizoi më tej Berisha.