Ankimimet e palëve në PD, por edhe të subjekteve të tjera politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, ditën e dielë, 12 mars 2023, do të merren në shqyrtim nga relatorët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Kjo, pasi të dielën, KAS do të hedhë shortin për përcaktimin e relatorëve për kërkesat ankimore të depozituara në KQZ. Deri tani Ankimim në KAS ka bërë “Rithemelimi“ i PD-së, PD e Alibeajt dhe Lëvizja “Bashkë”.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e ligjit zgjedhor. KAS shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit dhe KZAZ-ve.
Me kërkesë të Komisionerit, KAS vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë apo sanksione administrative kundër personave/ subjekteve zgjedhore që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve është “gjykata finale” për problematikat lidhur me zgjedhjet, ku palët ankimojnë vendimet e dhëna nga KQZ-ja ose kryekomisioneri i KQZ-së.
Sipas ligjit, KAS-i ushtron këto kompetenca:
a) vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një ose më shumë qendra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;
b) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;
c) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ-ëve;
ç) vlerëson performancën e komisionerëve dhe numëruesve për çështjet që shqyrton.
d) me kërkesë të Komisionerit vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë në rastet kur pas kontrollit aposteriori të materialit zgjedhor janë konstatuar shkelje ose parregullsi në administrim;
dh) me kërkesë të Komisionerit vendos sanksione administrative kundër personave apo subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të tyre, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.
Secili anëtar i KAS-it ka të drejtë që gjatë hetimit administrativ të marrë kryesisht, pa debat dhe as votim, prova që janë në administrim të KQZ-së.
Aktet administrative bazë të KAS-it janë vendimet. Vendimet merren kur pro tyre votojnë së paku tre anëtarë, përveç vendimit kur objekt i ankimit është kundërshtimi i tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve në zonën zgjedhore. Në këtë rast vendimi merret kur pro tij votojnë së paku katër anëtarë.