Qeveria lokale e Nagasakit ka kundërshtuar presionin e vendeve të Grupit G7 dhe qëndron në vendimin e saj për të mos ftuar zyrtarë nga Izraeli në ngjarjen për të përkujtuar bombardimet bërthamore të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryebashkiaku i Nagasakit, Shiro Suzuki, tha se vendimi "nuk ishte i motivuar politikisht", njoftoi Kyodo News.
Suzuki tha se nuk do të ketë asnjë ndryshim në këtë vendim, duke folur për masën e autoriteteve lokale për të mos ftuar zyrtarë izraelitë në ngjarjen vjetore të planifikuar për të premten në Nagasaki.
Në një veprim të koordinuar kundër vendimit të Suzuki-t, të dërguarit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së, anëtarët e G7-së, mund të mos marrin pjesë në ngjarjen në Nagasaki.
Ata e kanë ndërlidhur praninë e tyre me një ftesë për Izraelin, të cilën Nagasaki e ka refuzuar.
Japonia, një nga anëtarët e grupit G7 dhe njëherësh nikoqir dhe viktimë e bombardimeve bërthamore të SHBA-së, nuk ka thënë ende asgjë për këtë çështje.
Autoritetet lokale në qytetet Hiroshima dhe Nagasaki kanë mbajtur ngjarje vjetore që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi SHBA hodhi bomba bërthamore në Hiroshima, vendi i bombës së parë atomike në botë, më 6 gusht 1945, dhe më pas Nagasaki më 9 gusht, duke rezultuar në të paktën 140.000 vdekje deri në fund të atij viti.
Japonia po përkujton 79-vjetorin e mizorisë këtë vit.
Vendimi i Suzuki-t është pritur me një mbështetje të gjerë, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Japonia nuk njeh shtetin e Palestinës, por në Tokio ndodhet Misioni i Përgjithshëm i Palestinës.
Zëvendës shefi i misionit palestinez do të marrë pjesë në ngjarjen në Nagasaki.
Duke përmendur "arsye sigurie" nëse Izraeli do të ftohej, Suzuki tha se shpresonte se ngjarja do të "kryhej pa probleme nën një atmosferë solemne".
"Unë do të vazhdoj të këmbëngul dhe të kërkoj mirëkuptim të vendimit sa herë që të jetë e nevojshme", tha ai.
Të martën, aktivistët e paqes zhvilluan demonstrata kundër Hiroshimës, ku autoritetet lokale ftuan zyrtarët izraelitë në ngjarje.
Protestuesit pro-palestinezë kritikuan autoritetet e Hiroshimës për standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë dhe sulmin izraelit në Gaza.
Japonia nuk e ka ftuar Rusinë dhe Bjellorusinë në këto ngjarje, që kur Moska filloi "operacionin e saj special ushtarak" kundër Kievit në shkurt 2022./aa