Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar rreth mesditës në Bashkinë e Finiqit, që ndodhet 20 kilometra nga Saranda.
Në një prononcim për mediet, Prefekti i Qarkut Vlorë, Kristo Kiço foli mbi situatën në Finiq, ndërsa u shpreh se zjarri ka prekur Parkun Arkeologjik të këtij qytetit.
Prefekti Kiço theksoi se po bëhen vlerësime paraprake për situatën.
“Nga pjesa lindore zjarri është vënë nën kontroll prapa Parkut Kombëtar Arkeologjik të Finiqit. Problematike janë dy fshatrat Shijan dhe Mavropull, pasi zjarrin e ndihmon edhe era. Zjarrfikësit janë në vend duke bërë përpjekje për të shuar zjarrin”,shtoi ai.
Prefekti i Vlorës bëri të ditur se në terren kanë ardhur dhe 30 forca të ushtrisë.
“Nuk ka pasur dëme në banesa, ka në dru frutorë. Kemi një vlerësim për Parkun Arkeologjik të Finiqit, jemi në kontakt edhe me drejtorinë që të shikojmë se çfarë dëmesh ka. Zjarri ka kaluar në të gjithë sipërfaqen e parkut të Finiqit. Është djegur bimësia. Ka shpëtuar pjesa e hyrjes së parkut dhe biletaria”, tha ai./ata