Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bvri thirrje sot qytetarëve që protestuan pranë rrugës Thumanë-Kashar që të vazhdojnë protestën e tyre.

Sipas Berishës, në protestën e sotme “narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrë kriminale ndaj protestuesve paqësorë”.

Ai i bëri thirrje edhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që të dorëzohet para drejtësisë, pasi sa më shumë ta zgjasë agoninë, aq më tepër do vuajë.

Berisha në komunikimin me qytetarët nga banesa ku qëndron në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar, u fokusua tek turizmi në Shqipëri, që sipas tij 2024  është cilësuar si viti i shkatërrimit.

Duke folur para qytetarëve të mbledhur poshtë banesës së tij, Berisha tha se kapacitetet turistike në vend kanë pësuar ulje nga 50 deri në 70 %.  Sipas Berishës, statistikat e publikuara, tregojnë se shqiptarët nuk kanë para për të bërë pushime, për shkak se qeveria Rama i ka varfëruar dhe vazhdon t’i varfërojë, duke i detyruar të largohen nga vendi.

Berisha ka theksuar se shqiptarët e Kosovës i kanë dhënë një goditje të tmerrshme turizmit në Shqipëri, pasi e kanë braktisur këtë vit. ‘Goditje të tmerrshme turizmit i ka dhënë Kosova. Rama sillej me armiqësi ndaj tyre, kishte edhe racizëm sidomos në jug’, u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje edhe pronarëve dhe punonjësve të industrisë së turizmit në Shqipëri që të bëjnë gjithçka për të kthyer turizmin në mirësinë më të madhe për shqiptarët./ata