Nëse jeni me rrufë apo mendoni se ju ka zënë gripi edhe tani në verë, nuk është gjë tjetër veçse Covid-19. 90% e virozave respiratore në qarkullim, aspak të zakonta për stinën e nxehtë, janë nënvariantet e Omicron.

Mjekët e qendrave shëndetësore tregojnë se gjatë muajit korrik, rastet pozitive me Covid janë rritur ndjeshëm.

Shifrat e të prekurve mendohet të jenë shumë më të larta, pasi jo të gjithë i drejtohen qendrave shëndetësore apo kryerjes së tamponit.

Në këtë periudhë, Covid-19 po dominon edhe ndaj virozave klasike të verës, shpesh duke u mbivendosur edhe me to. Megjithatë, mjekët theksojnë se ky nënvarinat i Covid nuk është agresiv.

Te moshat e reja kalon lehtë, ndërsa tek të moshuarit ka shkaktuar rëndim të gjendjes shëndetësore  duke zgjatur edhe në ditë. Qarkullimi i Covid në stinën e verës ka rikthyer testet e shpejta në qendrat shëndetësore, por jo interesin për vaksinën, e cila nuk kërkohet më nga qytetarët./Tema