Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nënshkruar kontratën me kompaninë fituese që do të zbatojë punimet për ndërtimin e bypass-it nr. 1 nga Vlora në Orikum. Kontrata me kompaninë FUSHA ka një vlerë prej rreth 3.5 mln USD dhe është firmosur në datën 31 korrik 2024, ndërkohë që punimet parashikohet të përfundojnë pas 2 vitesh.

Aksi Vlorë – Orikum është një nga segmentet rrugorë me trafik të ngarkuar gjatë muajve të verës. Gjatësia e këtij aksi është 10.6 km dhe fillon nga tuneli në Ujin e Ftohtë, deri në portin e Jahteve, që ndodhet në Orikum. Ndërkohë që, tenderi u zhvillua nga BERZH, duke qenë se kjo bankë ka akorduar një kredi për të këtë projekt.

Ndërtimi i këtij aksi pritet të lehtësojë kalimin e automjeteve, drejt jugut të vendit gjatë sezonit turistik, ndërkohë që duke marrë në konsideratë pozicionimin e tij, ai do të bashkohet me aksin e rri rrugor Orikum – Dukat. Ndërkaq, paralelisht me bypassin Vlorë – Orikum, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton punimet për projektin e quajtur lungomare 3, që është një vazhdimësi e lungomares së Vlorës. Për këtë projekt që synon riformësimin e vijës bregdetare është marrë edhe një kredi prej 30 mln USD nga Fondi Saudit për Zhvillim./Tema