Këto “Hyundai Tucson” janë vetëm dy nga rreth 1 mijë e 800 makinat e ardhura njëherazi në Porto Romano të Durrësit me këtë anije nga Koreja e Jugut.

Gati 9 mijë kilometër distancë gjeografike, një treg aspak tradicional referuar historisë... sot Koreja e Jugut është kthyer në burimin kryesor nga ku shqiptarët importojnë makina.

“Çmimet e shitjes atje janë shumë të ulëta për shkak të politikës që ata kanë për makinat e reja, për makinat elektrike. Makinat e naftës 10-vjeçare apo edhe më të reja përpiqen t’i shesin që të blejnë makina më të reja, elektrike,” shprehet Mario Tushe, importues makinash.

Shteti në Azinë Lindore rendite i dyti pas Italisë në drejtim të importeve të automjeteve, duke lënë pas Gjermaninë dhe Zvicrën. Në harkun e muajve janar-korrik, prej andej u sollën dhe u regjistruan 7 mijë e 754 makina.

“Unë kam qenë vetë në Kore bashkë me ortakun tim dhe kemi qëndruar aty për më shumë se 1 muaj. Pamë që tregu ishte i bollshëm kështu që hoqëm dorë nga Evropa për t’u orientuar drejt Koresë.”

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se importi i mjeteve të transportit nga Koreja e Jugut ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit.

Nga rreth 870 milionë lekë importe të automjeteve në 2018-n, vitin e shkuar shifra arriti në 8.5 miliardë lekë duke gati u 10-fishuar në harkun e 5 viteve.

Megjithatë, ashtu si në çdo treg të ri dhe jo fort tradicional, edhe këtu skepticizmi në drejtim të cilësisë është i madh.

Në varësi edhe të asaj çka klientët kërkojnë, pjesa më e madhe e automjeteve të importuara në harkun e muajve janar-korrik janë të markës “Volkswagen” me mbi 11 mijë të tilla, ndjekur nga Mercedes Benz, Audi, Hyundai, Toyota, Ford, Fiat dhe BMW.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit rrugor tregojnë se në harkun e muajve janar-korrik janë regjistruar gati 63 mijë automjete të reja. 

“Kemi kompanitë e makinave me qira të cilat kryesisht duan automjete të vogla të tipit Volkswagen Gold apo Mercedes Benz C dhe E-Class. Ndërsa pjesa tjetër, janë individë që duan Tuscon apo Edhe Audi Q7, etj,” shpjegon Ardis Biba, importues makinash.

Importet e shtuara veçanërisht nga Koreja e Jugut kanë bërë që numri i automjeteve aktive në vend, pra pa përshirë ato vetëm të zhdoganuara ka rritur në gati 1 milionë.

Pak më shumë se gjysma e tyre janë mbi 15-vjeçare. Gati 150 mijë automjete janë midis 9 dhe 15 viteve të prodhuara, ndjekur nga ato 5-8 vjeçare. Më pak se 20 mijë automjete janë deri në 4 vite të prodhuara.

Në raport edhe me numrin e popullsisë, gati 320 mijë makina rezultojnë të regjistruara në Tiranë, ndjekur nga Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani dhe Vlora.

Me gjithë se tregu duket i mbingopur, importuesit e automjeteve vijojnë të blejnë makina nga Koreja e Jugut. Deri n֝ fund të vitit, nga Koreja e Jugut pritet të mbërrijnë mbi 100 mijë makina./Tema