Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, mori pjesë në konferencën e 56-të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave, e cila u mbajt në Budapest, Hungari.

Në këtë konferencë morën pjesët drejtorët e Agjencive të Pagesave të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate, si edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane të Audituesve, Zyrës Evropiane Antimashtrim etj.

Sipas njoftimit për medie të AZHBR-së, gjatë konferencës u diskutua mbi rëndësinë e politikave të përbashkëta bujqësore dhe raportet vjetore, duke nxitur shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve pjesëmarrëse me qëllim rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmin në sektorin bujqësor.

Në fokus të diskutimeve ishte dhe nevoja e aplikimit të risive teknologjike dhe politikave të reja për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian, si një mundësi për kontroll dhe monitorim më efektiv gjatë zbatimit të programeve për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Konferenca e 57-të e Drejtorëve të Agjencive të Pagesave do të mbahet në maj 2025, në Poloni, e cila mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian./ata