Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë një podcasti ku mori pjesë të shtunën, ka folur për një nga prioritetet kryesore në programin politik të grupimit që ai drejton, që është zgjidhja e problemit të pronave. Basha tha se siguria e pronës fut Shqipërinë në orbitën e vendeve të zhvilluara.

Sipas Bashës, kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar, do të mundësojë që ekonomia shqiptare të ecë përpara.

“Nëse siguria e pronës rivendoset, Shqipëria hyn menjëherë në orbitën e vendeve të zhvilluara. Dhe për këtë arsye në programin tonë prona zë një vend kryesor. Mund ta themi me gojën plotë, që në programin tonë të shpalosur në 1 qershor, reforma më e madhe është reforma e pronës. Është kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar”, thekson Basha.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë tha se, ky është një akt, është një reformë pa të cilën Shqipëria nuk bëhet dot pjesë e Bashkimit Europian.

“80% e shqiptarëve nuk kanë ende pronat. Dhe këtë e dimë sepse janë shtresë pas shtrese, të shpronësuarit nga komunizmi, pronat e zaptuara pas viteve 90′ dhe një pirg po kaq i madh çështjesh gjyqësore të cilat ose nuk kanë marrë përgjigje, ose kanë marrë përgjigje të paligjshme duke shpronësuar për herë të dytë pronarët legjitim”, tha Basha.

Sipas tij, “në momentin që reforma e pronës kryhet dhe kërkon vizion, guxim dhe vendosmëri që të kryhet, në këtë moment Shqipëria hyn në modernitet”.

“Dua ta them që ky është një moment që vendet e tjera e kanë kaluar shekuj më parë. Prona kthehet në kolateral, financa kthehet në pronë, prona kthehet në financë dhe në këtë mënyrë ekonomia zhvillohet. Prandaj edhe për ata që nuk e gjejnë veten e tyre si pronarë të shpronësuar apo që u është grabitur prona, do ta gjejnë veten e tyre, sepse me përfundimin e kësaj reforme, mirëqenia e Shqipërisë do të dyfishohet në atë moment”, tha Basha.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të rritet me 3, 4, 5 herë më shumë se sot. Sepse miliarda euro prona, troje, toka të pakolateralizuara që qëndrojnë jashtë sistemit bankar, papritur do të bëhen pjesë e sistemit bankar, e sistemit financiar, e sistemit të kreditimit, e sistemit të zhvillimit. Dhe për këtë arsye, kjo reform zë vendin qëndror si reforma e rëndësishme që Demokratët Euroatlantikë të marrin përsipër të nisin dhe të përfundojnë brenda mandatit të parë”, përfundon Basha./ata