Qarku i Fierit është një ndër qarqet ku është fituar nga kandidatët e Partisë Socialiste.

 

Drejtuesi politik i qarkut Taulant Balla në daljen para mediave i është përgjigjur raportit të OSBE-ODIHR-it që tregonte se kandidatët mundën të zhvillonin fushatën për 14 majin lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet nuk u përmendën aq sa duhet në fushatë.

 

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se nëse në këtë fushatë nuk u pa të flitej për çështjet e komuniteteve, PS do t’ua vendosë në dispozicion.

 

Ai tha se vëzhguesit ndërkombëtar duhet të monitorojnë me vëmendje territorin se kanë zhvilluar kudo takime me qytetarët.

 

Ndër të tjera Balla theksoi se nuk është përgjegjësia e PS, që fitorja ishte kaq e thellë.

 

“Dua të kthej një përgjigje për raportin e OSBE-ODIHR që në këtë fushatë nuk u pa të flitej për çështjet e komuniteteve, nuk e di në cilat takime kanë qenë. Ne do t’ua vëmë në dispozicion. Nëse monitorojnë mediat, kjo është çështje tjetër. Ajo çfarë ka ndodhur në media s’ka të bëjë me terrenin. Ftoj të kontaktojnë 1 fshat të vetëm ku kemi qenë për takim dhe për punët që do bëhen. Ky ka qenë diskutimi kryesor i fushatës. Nuk është përgjegjësia jonë që fitorja e PS ishte kaq e thellë”, tha Balla.