Për shoqëritë administruese dhe përfituesit e fondeve të pensioneve private, janë përcaktuar kushte të reja për tërheqjen dhe përdorimin e pagesës së pensioneve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik projektrregulloren për mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit privat.

Pensioni privat mund të tërhiqet si një pagesë e menjëhershme ose si një pagesë periodike mujore. Gjithashtu, vlera neto e shumës së parave mund të përdoret për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, te një shoqëri sigurimi jete.

Në projektrregullore parashikohet marrja e pagesave të vazhdueshme mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet. Ndërkohë që shoqëria administruese e fondit të pensionit privat duhet të njoftojë anëtarin brenda 5 ditëve pune nga dita e mbushjes së moshës për marrjen e pensionit.

Në çdo rast, anëtari i fondit të pensionit privat duhet të paraqesë një kërkesë te shoqëria administruese për marrjen e pagesës së menjëhershme si një shumë të vetme ose në disa shuma dhe periudha të barabarta apo të ndryshme, deri në shterimin e plotë të llogarisë.

Shoqëria administruese detyrohet t’i paguajë penalitet në formë interesi anëtarit të fondit të pensionit, në rastin e vonesave në pagimin e shumave të menjëhershme apo të pagesave periodike. Shuma e interesit të pagueshëm tek anëtari i fondit për çdo pagesë të vonuar llogaritet duke marrë parasysh çdo ditë vonesë dhe shumën e pagesës së vonuar.

Për sa i përket trashëgimisë së aktiveve, tashmë në rregulloren e re përcaktohet qartë që paratë e mbetura në llogarinë e pensionistit pas vdekjes së tij, mund të trashëgohen te familjarët./Tema