Shqiptarët kanë paguar më shumë për të siguruar pronat, jetën, shëndetin dhe automjetet përgjatë gjysmës së parë të vitit.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se në 6 muaj, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën  e 11,8 miliardë lekë, rreth 833 milionë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, numri total i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në mbi 699 mijë në fund të qershorit.

Por tendenca në rritje vjen si pasojë dhe e sigurimit të detyrueshëm. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë mbi 55.92% të totalit të tregut, duke lënë pas sigurimin vullnetar në rreth 44%.

Nga ana tjetër sigurimi vullnetar shënoi rënie me 5.2% krahasuar me 6 mujorin 2023. Të frikësuar nga situata aktuale në sezonin e verës, një ndër faktorët që ndikoi në sigurimin vullnetar është dhe sigurimi nga zjarret dhe fatkeqësitë. 

Në përgjithësi tregu mbetet i orientuar tek sigurimet  e jo jetës të cilat sollën 91.31% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.64% dhe risigurimi me 0.048%./Tema