Të rinjtë shqiptarë po mbështeten për t’u futur në tregun e punës përmes programit të Garancisë Rinore, një qasje e re e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën të ditur se programi i Garancisë Rinore, faza pilot, po vijon.
“Tea dhe Klejdi, dy të rinjtë nga Vlora po përfitojnë nga programi në vetëm 1 muaj pasi aplikuan për t’u bërë pjesë. Tea u punësua si recepsioniste pranë një klinike mjekësore, ndërsa Klejdi si punonjës shërbimi në fushën e turizmit”, bëri të ditur Gonxhja.
Ministri theksoi se çdo i ri deri në 29 vjeç që jeton në Tiranë, Vlorë apo Shkodër dhe
nuk është i punësuar, nuk është duke ndjekur arsim, apo kurs formimi profesional, mund të bëhet pjesë e fazës pilot të zbatimit të Garancisë Rinore në Shqipëri duke aplikuar në portalin e-Albania, në Shërbimin “Aplikim për Garancinë Rinore”.
Garancia Rinore synon sigurimin e një oferte cilësore punësimi, arsimi apo formimi profesional brenda 4 muajve.
Garancia Rinore është një program që po zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian, me synim integrimin e rinjve në tregun e punës dhe fillimisht do pilotohet në tri bashki të vendit: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Përmes saj synohet të mbështeten në total rreth 18 mijë të rinj./ata