Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar gjatë protestës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës e cila është mbajtur në Bujanoc se Beogradi po diskriminon edhe serbët lokalë për inate të shqiptarëve.

Duke theksuar se shqiptarëve po vazhdon të ju mohohet integrimi dhe e drejta e tyre në organet shtetërore.

“Jemi këtu sepse Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Kamberi, në fjalimin e tij para protestuesve ka vlerësuar se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, veçanërisht për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Në mungesë te teksteve shkollore, profesorët japin mësim në mënyrë alternative. Vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin mësimor. Neve po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore. Po na ndalohet historia si lëndë. Po na ndalohet lënda e gjeografisë”, ka deklaruar Kamberi.

Pas fjalimit të Kamberit, protesta e shqiptarëve në Bujanoc ka përfunduar me një deklaratë kolektive përmes të cilës i është kërkuar autoriteteve në Beograd të ndalojnë shtypjen e shqiptarëve.

Protesta është thirrur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës pas situatës së krijuar rreth pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga autoritetet serbe.

E problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE) kushtuar Serbisë, kur është përmendur respektimi i të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare.

Megjithatë, shteti serb ka vazhduar diskriminimin sistematik ndaj pakicës shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, pavarësisht vërejtjeve ndërkombëtare.

Në bazë të të dhënave të autoriteteve shqiptare në Luginën e Preshevës, deri më tash janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa shqiptarësh.

Në këtë kontekst, kur shqiptarëve u pasivizohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai ose ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.

Rrjedhimisht, shqiptarët nuk gëzojnë të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojnë makinën, nuk mund të blejnë apo shesin pronën dhe nuk mund të votojnë në procesin zgjedhor./Albanianpost.com