Në muajin korrik të këtij viti, u regjistrua një rekord i ri sa i takon numrit dhe vlerës së transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i transaksioneve të realizuara përmes këtij sistemi arriti thuajse 30 mijë gjatë muajit korrik, mbi 3 mijë transaksione më shumë se në muajin qershor.

Ndërkohë që vlera e pagesave të transferuara përmes sistemit AIPS kapi shifrën 474 milionë euro nga 368 milionë që ishte në qershor.

Sistemi ndërbankar i pagesave me vlerë të madhe AIPS, ka reduktuar me disa miliona euro, kostot e tarifave të transfertave për qytetarët dhe bizneset. Gjatë vitit 2023, sistemi i pagesave AIPS Euro u ka kursyer bizneseve dhe individëve mbi 37 milionë euro.

Gjithashtu, sistemi AIPS ka ndikuar në reduktimin e kohës së nevojshme për shlyerjen e një transaksioni në euro brenda vendit, si dhe ka kontribuar në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë./ata