Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti sot në një takim ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Tajar Kağan Atay, ku biseduan rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë.
Ministri shprehu vlerësime në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, njëherësh dinamik e mjaft të frytshëm me shtetin turk.
Për Hoxhën, Turqia është një partner kryesor në fushën e sigurisë, por edhe kualifikimeve në Akademinë e Sigurisë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të shkollimit dhe asistencës te përhershme.
Ambasadori turk u zotua për dhënien e ndihmës së vazhdueshme ndaj Shqipërisë, duke theksuar që e kundërta as që mund të diskutohet.
“Jemi për të mbështetur Shqipërinë si dhe për të përcjellë gjithmonë përkrahjen e shtetit turk”, nënvizoi ambasadori Atay.
Në bisedë palët shprehën reciprokisht mirënjohjen e thellë për solidaritetin e dëshmuar dhe ndihmën e menjëhershme gjatë periudhës kur dy vendet u përfshinë në emergjenca.
Ministri i Brendshëm pranoi ftesën për një vizitë zyrtare në Turqi për të takuar ministrin e Brendshëm të Turqisë në një moment sa më të volitshëm./ata