Komisioni Rregullator, në seancën e sotme publike, shqyrtoi dhe miratoi me 5 vota pro, projektvendimin për karakteristikat teknike të fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet e datës 14 maj 2023.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore zgjedhësi voton me dy fleta votimi me formë të njëjtë dhe me ngjyra të ndryshme, një për kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore dhe një për këshillin e bashkisë.

 

“Fletët e votimit do të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie. Përveç elementeve të sigurisë së letrës, fleta e votimit do të përmbajë edhe disa elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit si dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë (barcode)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

/ATSH