Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dënoi bastisjen në Xhaminë al-Aksa nga qindra hebrenj fanatikë dhe e cilësoi këtë veprim si një "provokim".

Borrell ndau një postim në llogarinë e tij X rreth hebrenjve fanatikë të cilët nën mbrojtjen e policisë izraelite bastisën Xhaminë Al-Aksa së bashku me ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe ministri izraelit i Zhvillimit të Negevit dhe Galilesë, Yitzhak Wasserlauf.

"BE-ja dënon fuqishëm provokimet e ministrit izraelit Ben-Gvir", ka deklaruar Borrell, duke theksuar se status quo-ja në lidhje me vendet e shenjta duhet të ruhet, duke përfshirë rolin e veçantë të Jordanisë.

- Ministri izraelit i ekstremit të djathtë bastisi Xhaminë al-Aksa me hebrenj fanatikë

Ministrat izraelitë Ben-Gvir dhe Wasserlauf, si dhe hebrenj fanatikë, bastisën dje nën mbrojtjen e policisë izraelite Xhaminë al-Aksa.

Sipas deklaratës së bërë nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit, në bastisjen e kryer në Aksa morën pjesë rreth 2.250 hebrenj fanatikë.

Në Xhaminë al-Aksa u vërejt se disa hebrenj fanatikë kryen rituale talmudike, duke u përulur në tokë.

Jordania konsiderohet vendi përgjegjës për çështjet fetare në Kuds, në përputhje me Marrëveshjen Wadi Araba të nënshkruar me Izraelin në 1994. Sërish sipas marrëveshjes së nënshkruar mes mbretit Abdullah II të Jordanisë dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas në vitin 2013, e drejta për mbrojtjen dhe kujdestarinë e Kudsit dhe vendeve të shenjta atje iu dha Jordanisë./aa