Rebelo de Sousa në fjalimin e tij në mbylljen e Mbledhjes Kombëtare të Rinisë që u zhvillua në qytetin Aveiro, paralajmëroi të rinjtë kundër "krizës së thellë të përjetuar nga sistemet politike evropiane".
"Pas zgjedhjeve në SHBA, kushdo që të fitojë do të kemi një botë më ndryshe. Pozicionimi i Rusisë apo fuqive në rritje si Afrika e Jugut, Brazili, Türkiye nuk do të jetë i njëjtë. As India nuk do të jetë e njëjtë. Jemi në fillim të një cikli të ri historik", tha Sousa.
Sipas tij, kushdo që të fitojë në zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor "do të hyjmë në një epokë të re". "Jemi në një pikë kthese në botë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas një viti e gjysmë. Bota që u përball me vështirësi për të menaxhuar pandeminë dhe për të rikuperuar ekonomikisht nuk do të jetë më e njëjta pas ndryshimeve në Kinë", tha presidenti portugez.
Ai theksoi se të gjithë kanë ndjenjën se transformimi dhe luftërat po rriten në një periudhë pasigurie dhe paparashikueshmërie. "Nevoja për t'u munduar për paqen në Evropë, Afrikë, Lindjen e Mesme dhe kudo tjetër në botë është shumë më e madhe", tha Sousa.
Sipas tij, boshllëqet e krijuara nga kriza e thellë në politikën evropiane kanë krijuar rryma të reja, të cilat disa i përshkruajnë si qasje populiste.
"Sistemi i deritanishëm ishte dizajnuar për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, për periudhën kalimtare të Evropës, sipas shekujve 20 dhe 21. Por, nuk mund të përshtatej me digjitalizimin, transformimin energjik, zhvillimeve shkencore dhe teknologjike, lëvizshmërisë, aspiratave të të rinjve dhe plakjes", tha Sousa.
"Evropa mbeti pas. Megjithëse, pasuria e Evropës është një faktor pozitiv, paratë nuk do të zgjidhin problemet me të cilat përballen të rinjtë", vlerëson presidenti portugez duke shtuar se "Evropa ende udhëheq luftën kundër ndryshimeve klimatike, migracionit dhe fluksit të refugjatëve, por pavarësisht gjithçkaje, ajo ka humbur vrullin edhe në këto"./aa