Opozita ka protesuar sërisht sot para Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protestuesit kanë kërkuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa kanë kërkuar edhe lirimin nga arresti i shtëpisë të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi në fjalën e tij se protestat nuk do të ndalen ata deri në arrestimin e Erion Veliajt.

Ai i dha edhe një mesazh kreut të SPAK, Altin Dumanit.

“Çdo ditë që Erion Veliaj qëndron në këtë detyrë, ai vazhdon e vjedh. Një mesazh kam për kreun e SPAK, Altin Dumanin, ose arresto Erion Veliajn ose vërja vetë prangat vetes dhe hyr në vend të këtij hajduti në burg se po dëshmon se je partner në krim me këtë monstër që çdo ditë vazhdon e vjedh dhe abuzon me taksat e shqiptarëve. Nuk ke për të gëzuar asnjë qindarkë sepse ne nuk do tërhiqemi se kjo është një betejë pa kthim”, tha Blushi.

Ndërsa Dorian Teliti, anëtari i Këshillit Bashkiak, u shpreh se, “Erion Veliaj meriton të dorëzohet tek SPAK e më pas tek 313, aty ku meriton të jetë çdokush që ka vjedhur dhe vazhdon vjedh Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”.

“Vjedhje galopante me qindra miliona euro dhe askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi, tallen me qytetarët e Tiranës. Besoj se e keni marrë vesh se çfarë ka bërë qeveria këto ditë, ka lidhur dy marrëveshje, dy marrëveshje në fshehje të plotë, pa transparencë, pa garë, pa e shpallur madje as garën fare. Me dy kompani të huaja gjoja, për të bërë transparencë mbi veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës”, tha ai.

Klevis Balliu deklaroi se drejtësia nuk funksionin dhe se institucioni i vetëm që vendos drejtësi është sovrani.

Ndër të tjera ai deklaroi se protesta para bashkisë do të vijojë.

“Taksën për shkollën s’ka asnjë shqiptar pse e paguan sepse e garanton Kushtetuta. Atë faturë dhe taksë e paguajmë te uji dhe dritat. E paguajnë dhe pensionistët. I vetmi rast në botë ku taksohen pensionistët. Ku shkojnë këta para? Në xhepin e Erion Veliajt. I kam kërkuar SPAK të hetojë ku shkojnë paratë dhe për 4 ditë kthen përgjigje dhe thotë s’ka shkelje. Si nuk ka shkelje kur nuk ndërtohet asnjë shkollë, kopsht apo çerdhe?!”, deklaroi ai.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo është një protestë qëndrese në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Tiranës.

Ai u shpreh se opozita ngre zërin dhe kërkon që taksat e qytetarëve duhet të shkojnë për shërbime. “Jemi ne problemi që themi se në Astir nuk ka një çerdhe, një shkollë dhe Erion Veliaj ka shkuar disa herë e ka premtuar, por atje shkollë e çerdhe nuk ka’, tha gjatë fjalës së tij, Belind Këlliçi.

Opozita ka zhvilluar disa protesta para bashkisë për dorëheqjen e Veliajt në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe arrestimin e drejtorëve të bashkisë për çështjen “5D”.

Për shkak të zhvillimit të protestës, disa prej segmenteve rrugore të kryeqytetit u bllokuan ditën e sotme. Policia njoftoi qytetarët se në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës./ata