Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot konfiskimin e pasurive të  shtetasit Alket Hatija dhe personave të lidhur me të, i deklaruar fajtor nga gjykata për trafik droge.

SPAK bën të ditur se, krahas ushtrimit të ndjekjes penale është kujdesur që të ketë në vëmendje të punës së vet edhe identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të cilat dyshohen se rrjedhin nga krimi.

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Alket Hatija (dhe personave të lidhur me të) i deklaruar fajtor me vendim të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë,

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndërmjet të tjerave ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:

Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.

Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;

Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.

Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.

Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;

Automjetin tip autoveturë i markës BMË, prodhim i vitit 2003;

49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;”, thuhet në njoftimin e SPAK

SPAK thekson se, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./ata