Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau online disa prej atyre pamjeve që e bëjnë Shqipërinë përrallën e një vendi. “Peizazhe të paprekura idilike e një jete baritore në bjeshkët e veriut”, shkroi ministrja.

Bjeshkët shqiptare prej kohësh janë vendosur në itinerarin e të apasionuarëve të natyrës e alpinizmit. Dikur margaritare të paprekur edhe nga një pjesë e shqiptarëve, sot gjen në to vizitorë nga të katër anët e globit.

Thethi dhe Valbona, marrin më shumë vëmendje, si dy qendrat kryesore të pushimit në bjeshkë. Shtegu që i lidh, është vazhdimisht i rrahur nga vizitorë vendas e të huaj, të cilët mrekullohen me natyrën shqiptare.

Udhëtimi i këtyre anëve në turizëm, nisi falë njerëzve larpamës të cilët filluan të kthenin kullat e familjes, në bujtina pritëse. Fillimisht ofronin fjetjen, ushqimin por u kthyen edhe në udhërrëfyes për vizitorët e parë, ndërsa tani miqtë priten me profesionalizëm, ku përveç të bukurës e xhevahireve të fshehura maleve, ofrohet edhe një shërbim hotelier.

Ardhja gjithnjë e më shumë e turistëve në këto zona të thella malore, solli punësimin e më shumë njerëzve si dhe krijoi kushtet për rimëkëmbjen e kullave që ishin trashëguar brez pas brezi. Mbulim i gjerë i bjeshkëve tashmë ka bërë që veriu i Shqipërisë të mos jetë edhe aq i fshehur dhe pse ka ende pyje e maja larg masave të mëdha të turistëve./ata