E drejta televizive për Kategorinë Superiore është kthyer në një teatër, ku çdo vit edhe pse deklarohen bashkëpunime me televizione të ndryshme me kontrata 3- vjeçare, në fund çdo gjë rezulton një dështim i plotë.

I tillë ishte edicioni i sezonit të kaluar, ku jo vetëm transmetimi por dhe kampionati ishte në nivele qesharake.

Ndërkohë që edhe sezoni i ri pritet të jetë i njëjte, madje pritet edhe mos më keq, FSHF-ja ka vendosur të ndërrojë kanal.

Televizionin Shqiptar, që do të transmetojë për tre sezonet e ardhshme kampionatin Kategoria Superiore, duke përfshirë edhe Final 4, Kategorinë e Parë, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë.

Pas hapjes së procedurave për shitjen e të drejtës TV të kompeticioneve kombëtare të futbollit, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit shqyrtoi propozimet e operatorëve kombëtarë dhe pas diskutimeve shpalli fituese ofertën e ardhur nga RTSH.

Sipas marrëveshjes, RTSH merr të drejtën televizive për sezonet 2024/25; 2025/26; 2026/27 të kompeticioneve kombëtare për territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kampionati i Kategorisë Superiore do të ngrejë siparin e edicionit të 86-të më 18 gusht, ndërsa Kategoria e Parë do të nisë më 24 gusht”, thuhet ne njoftim./Tema