Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovaciont, Bledi Gonxhja ju bëri thirrje të rinjve ti drejtohen arsimit profesional, si porta drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe plot sukses.
“Investo në talentin dhe pasionin tënd, duke ndërtuar një karrierë të sigurt që hap horizonte të reja. Bëhu pjesë e profesionistëve të së nesërmes”, ishte mesazhi i ministrit.
Një sistem gjurmimi i ushtruar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit në nxënësit që studiojnë në shkollat e mesme profesionale gjeti se gati 60% totalit të të diplomuarve ishin në marrëdhënie pune 1 vit pas diplomimit.
Vetë studentët shprehen se arsimi profesional është zanat, i cili krijon të ardhura ende pa përfunduar studimet. Duke mbaruar arsimin profesional, çdo i ri mund të gjejë lehtësisht punë edhe pa pasur një universitet.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bën të ditur se deri tani mbi 4 500 të rinj kanë zgjedhur të nisin studimet në arsimin profesional këtë vit shkollor. Në total janë 15 mijë të rinj që vijojnë studimet në shkollat profesionale.
Arsimi profesional përfshin një gamë të larmishme fushash studimi, ku secila ofron mundësi unike për studentët për të zhvilluar aftësi të specializuara dhe për të ndjekur karriera frytdhënëse.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po mbështet nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm profesional me mbi 2500 bursa studimi deri në 7 320 lekë/muaj për të rinjtë.
Mbështetja sigurohet për vajzat, nxënësit që regjistrohen në degët me përparësi, nxënësit nga familjet në nevojë si dhe nxënësit që banojnë mbi 5 km larg nga shkolla profesionale. Gjithashtu për ekselentët që kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës në arsim profesional me notë mesatare mbi 9, si dhe grupet e veçanta.
Për t’ju përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Procesi i të mësuarit në shkollat e arsimit profesional është dinamik dhe praktik, duke i përgatitur studentët për sukses në botën reale. Kurrikula fokusohet në aftësitë praktike dhe njohuritë përkatëse për industrinë, duke i lejuar studentët të zbatojnë atë që mësojnë në një mjedis mbështetës dhe ndërveprues.
Nëpërmjet një kombinimi të mësimdhënies në klasë, orëve praktike në shkollë dhe atyre në industri, studentët fitojnë përvojë të vlefshme dhe zhvillojnë një themel të fortë në fushat e tyre të zgjedhura./ata