Një 28 vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe.Në pranga ka rënë Erlind Cekaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Bregas, Fier.
Cekaj në bashkëpunim me një kompani të quajtur IT PumaTS/SM Company, që është e lidhur me kompaninë Milton Group, ka qenë pjesë e një rrjeti mashtrimi online dhe vepronin në mbarë botën, e drejtuar kryesisht nga call center në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Po ky rrjet kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, kanë mashtruar qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, duke u shkaktuar atyre miliona euro dëm.
Hetimet për këtë rrjet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende: Shqipëria, Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina dhe Gjeorgjia, nën koordinimin e Eurojust.
Erlind Cekaj akuzohet për veprat penale “Mashtrimit”, në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, për veprën “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata dhe grupi i strukturuar kriminal”.
GJKKO-ja e, me vendim të datës 18 tetor 2023 ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 28 vjeçarin Erlind Cekaj.
Sakaq, nuk sqarohet nëse po punohet për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Njoftimi:
Në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, me datë 20.08.2024, është bërë e mundur arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind CEKAJ, i biri i Fatos dhe Shqiponja, i datëlindjes 16.07.1996, lindur dhe banues në Bregas, Fier.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim penal Nr. 85 datë 18.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit”, Grupi i strukturuar kriminal” dhe “ Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të K. Penal./GazetaShqiptare