Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me lajmin e publikuar në disa media se në prill të këtij viti Shqipëria i ka dërguar Kinës 115 kontejnere me mbetje toksike dhe se këto mbetje po rikthehen drejt Portit të Durrësit.

Bardhi u shpreh se, rikthimi në Portin e Durrësit të kësaj sasie të jashtëzakonshme mbetjesh, sipas tij të rrezikshme është një cenim i rëndë i sigurisë kombëtare.

“Prej disa ditësh mediat ndërkombëtare kanë raportuar të paktën dy raste të eksporteve nga Shqipëria (në Kinë dhe Tajlandë) të mijëra ton mbetje të rrezikshme dhe institucionet shqiptare heshtin! Ministria e Infrastrukturës, Porti i Durrësit, Ministria e Mjedisit, Drejtoria e Doganave, Policia e Shtetit, Prokuroria, askush nuk ka asnjë reagim zyrtar se kujt i përkasin këto mbetje të rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se, “duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit”.

Bardhi bëri të ditur se, “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të përdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”.

Lidhur me rastin ne fjale ka reaguar dhe Dogana Shqiptare, e cila ka sqaruar se Shqipëria është vend tranzit dhe jo eksportues i mbetjeve. Në një reagim të  publikuar sot nga Doganat Shqiptare sqarohet se, “rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland”.

“Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”, bën të ditur Dogana.

Sa më sipër, Dogana sqaron se, nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë. Nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.

ADSH thekson se, “si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligjzbatues”./ata