Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot në sekuestro pasuri të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij, të cilët janë nën hetim për abuzimet me fondet e BE në dosjen e SASPAC.

Paratë janë sekuestruar nga llogaritë bankare të Ilir Beqajt, Ermal Kurtulajt, Bjona Zijajt, Bledar Lekës, Gazmend Haxhisë dhe Elton Marinit.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal të vitit 2023, lidhur me veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’, kryer në bashkëpunim, ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’, ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, ‘Mashtrimi’, si dhe ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/apo në vlerën ekuivalente të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15 korrik 2024, i ndryshuar me vendimin e datës 9 gusht 2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera.

Konkretisht është vendosur sekuestro mbi: 14 323 125 lekë; 15 542 euro; 42 318 USD.

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregtare të personave nën hetim.

Po ashtu janë vendosur në sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k.

Sekuestro preventive është vendosur edhe mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale./ata