Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me Ina Xhepën, përfituesen e një prej pesë bursave të qeverisë shqiptare për të ndjekur studimet në Kolegjin e Evropës në Tiranë.

“Ina Xhepa do të jetë pas pak ditësh një nga studentet e Kolegjit të Evropës, Kampusit të Tiranës dhe është përfituese e një prej 5 bursave të akorduara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për studimet master në Kolegjin e Evropës në Tiranë”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “Ina është diplomuar në “Drejtësi” dhe “Financë Kontabilitet” si dhe ka një eksperiencë mbi 11 vite në të drejtat e njeriut dhe të drejtës evropiane”.

Ina Xhepa është aktiviste e shoqërisë civile, me eksperiencë në përgatitjen e raporteve, analizave ligjore dhe trajnimeve me partnerë ndërkombëtarë.

Dega e Kolegjit të Evropës në Tiranë do t’i hapë studimet për ciklin e studimeve 2024-2025 me një program studimi pasuniversitar, cikli i dytë i studimeve, i cili do të jetë i hapur për studentët dhe profesionistët nga Ballkani Perëndimor, e më gjerë për specializim në studimet evropiane, me fokus në integrimin e rajonit në BE.

Qeveria shqiptare do të investojë për ngritjen e Kampusit të ri të Kolegjit si dhe do të ofrojë deri në pesë bursa në vit./ata