Në Shqipëri është organizuar aktiviteti i hapjes së Shkollës Rinore Ballkanike 2024, që organizohet nga Shoqata e të Diplomuarve në Türkiye e Shqipërisë (TUMED), në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Në hapje të kësaj shkolle në ambientet e TUMED-it në Tiranë, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, mbajti leksionin e parë me temë "Marrëdhëniet strategjike Türkiye-Shqipëri", duke bashkëbiseduar rreth temës me pjesëmarrësit.
Ambasadori Atay në një deklaratë për Anadolu tha se kanë vlerësuar së bashku situatën në lidhje me fazën aktuale të marrëdhënieve dypalëshe Türkiye-Shqipëri.
"Në këtë seancë hapëse patëm edhe një atmosferë bashkëbiseduese. Projekti i Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) nuk po realizohet vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit. Ne e filluam këtë shkollë me përpjekjet e Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye", tha ambasadori turk.
Atay theksoi se si ambasador turk në Tiranë, është shumë i lumtur që ka luajtur një rol në hapjen e këtij projekti në seancën e parë.
Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED), Egert Haxhiu, në hapje të aktivitetit u shpreh se vazhdojnë të kontribuojnë në marrëdhëniet miqësore midis Türkiyes dhe Shqipërisë. Haxhiu theksoi se leksionet që do të mbahen në kuadër të shkollës do të japin kontribut në fushën kulturore, politike dhe historike për të rinjtë pjesëmarrës.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut.
Shkolla Rinore Ballkanike 2024 do të zgjasë 6 javë dhe në seminaret e saj do të marrin pjesë 27 rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri./aa