Drejtoresha e Departamentit për parandalimin e epidemisë dhe pandemisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Maria Van Kerkhove tha virusi i lisë së majmunit (Mpox) transmetohet përmes kontaktit, duke theksuar se nuk është e njëjtë me COVID-19 që transmetohet përmes ajrit.
Kerkhove dhe lideri i ekipit të menaxhimit të ngjarjeve akute në rajonin afrikan të OBSH-së, Otim Patrick Ramadan, kanë bërë vlerësime për virusin Mpox në programin që ata mbajtën në llogaritë e mediave sociale të OBSH-së.
Kerkhove tha se virusi Mpox nuk është i njëjtë me COVID-19. "Virusi Mpox nuk përhapet ashtu si COVID-19 (përmes ajrit). Prandaj nuk ndodh situatë e njëjtë sikur me COVID-19. Nëse jeni në kontakt me person të infektuar mund të infektoheni me Mpox por kjo nuk nënkupton se çdokush mund të infektohet me virusin", tha ajo.
Sipas saj, përhapja e virusit Mpox mund të parandalohet me informacion dhe praktika të sakta.
Duke treguar se Mpox është virus që është parë edhe më parë, Kerkhove kujtoi se OBSH-ja e shpalli virusin Mpox si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në mënyrë që të mbështesë vendet ku virusi është përhapur dhe të bëjë një përpjekje të përbashkët globale.
- "30 për qind e rasteve në Burundi janë fëmijët"
Ramadan tha se gjithkush mund të ndikohet nga virusi Mpox. "Aktualisht, në mënyrë aktive ka raste të virusit Mpox në 13 vende të Afrikës. Ne shohim se një grup i shumëllojshëm janë të prekur në këto vende. Ne shohim raste që prekin fëmijët, por shohim edhe të rritur që janë të prekur", tha ai.
Duke thënë se 30 për qind e rasteve në Burundi, fqinj me Republikën Demokratike të Kongos, ku epidemia shihet gjerësisht, vërehen te personat nën moshën 18-vjeç, Ramadan tha se kjo është shqetësuese.
Ai shtoi se vaksinimi kundër Mpox është "mjet shtesë i shëndetit publik" i rëndësishëm dhe se sasia e nevojshme e vaksinës nuk është e disponueshme në Afrikë. Sipas tij, OBSH-ja rekomandon përdorimin e vaksinave MVA-BN dhe LC16 kundër Mpox në këtë fazë. Ramadan vuri në dukje rëndësinë e "vaksinimit të synuar" të atyre në rrezik dhe atyre në rrezik të lartë të kontaminimit.
I njohur më parë si lia e majmunit, Mpox është sëmundje virale që mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë si dhe përmes materialeve të kontaminuara si çarçafët, veshjet dhe gjilpërat, tha OBSH-ja./aa