Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se, popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 1,3% në 2022.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se, largimi nga vendi është një nga problemet kryesore që ndikon në varfërimin e Shqipërisë.

 

“Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 1,3% në 2022 rënia më e madhe që nga lufta e dytë botërore dhe fatkeqësisht sot po largohen të rinjtë dhe forca aktive e punës. 7.% e të larguarve janë të rinj, pjesë e shtresës së mesme të arsimuar e pjesë e një grupi të jashtëzakonshëm që duhej të ishte forca kryesore për ndryshim. Varfërimi i Shqipërisë nis që nga momenti i braktisjes së vendit nga rinia dhe nga plakja e shpejtë”, shkroi Tabaku.

 

“Shifrat për krizën demografike janë aty përpara syve të çdokujt, përpara tavolinës së qeverisë që refuzon të pranojë realitetin. Shkaqet e emigrimit mbeten të njëjta prej mbi 10 vjet; korrupsioni, mungesa e lirisë ekonomike, zhdukja e mobilitetit social. Ilaçi për sëmundjen e emigracionit mbetet lufta kundër korrupsionit, tregu i lirë, konkurrenca dhe meritokracia. Nuk mund të ndërtojmë një Shqipëri evropiane nëse minojmë demokracinë dhe tregun e lirë, nëse subvencionojmë korrupsionin dhe mbështesim kleptokracinë. Sot sfida më e madhe që ka ekonomia shqiptare, që po i humb çdo ditë mundësitë është emigracioni, sot sfida kryesore që ka politika është emigracioni”, shkruan Tabaku.