Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, me rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, qeveria hodhi një hap përtej programit të saj elektoral të vitit 2021 për pagën minimale.
Në prezantimin e strategjisë së zhvillimit të Tiranës, kryeministri Rama u shpreh se, “të gjitha arritjet rrezikojnë të mbeten e shkuar në rast se, ne nuk ngremë peshë një frymë të përbashkët të sektorit publik dhe privat”.
“Ne e hodhëm hapin e parë që ishte një hap që nuk mund ta parashikonim në 2021 dhe hodhëm një hap përtej programit tonë elektoral për pagën minimale. Por ju kujtoj që është një hap përtej edhe programit elektoral të atyre që ngaqë e dinë se nuk vijnë kurrë në pushtet mund të premtojnë diçka që nuk testohet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, paga minimale në të gjitha programet e partive politike në Shqipëri, pa llogaritur partinë e Nard Ndokës, ishte maksimumi 38 mijë lekë në vitin 2025″.
“Sot ne kemi vendosur që në fund të prillit paga minimale për të gjithë të jetë 40 mijë lekë”, tha Rama.