Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se, rritja e kapaciteteve me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, fuqizimi i programeve në mbështetje të mbrojtjes civile dhe mjekësisë ushtarake si dhe këshillimi nga SHBA-të në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, ishin temat kryesore të takimeve të kësaj jave me ambasadorët e Holandës dhe Rumanisë, atashetë ushtarakë dhe 5 këshilltarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë integruar me kohë të plotë pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Në takimin e posaçëm me këshilltarët ushtarakë amerikanë bashkërenduam planin e veprimit për tremujorin e fundit të 2024 me fokus mirëadministrimin e Burimeve Njerëzore dhe një sistem karriere motivues për ushtarakët tanë; planifikimin buxhetor afatmesëm në përputhje me objektivat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe planet e modernizimit; qartësinë dhe Linjëzimin e Politikave të Mbrojtjes me përparësitë e Aleancës; fuqizimin e Industrisë ushtarake; rritjen e kapaciteteve në mbrojtjen kibernetike.

Në takim me ambasadorin holandez për çështjet kibernetike Ernest Norman, përveç bashkëpunimit dypalësh, në fokus të diskutimit ishte rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile.

Një tjetër takim i rëndësishëm i ministrit Vengu ishte ai me ambasadorin e Rumanisë në Tiranë, Oktavian Serban, të cilit i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Rumania ofroi gjatë emergjencave të zjarreve në Shqipëri, me dërgimin e dy avionëve ushtarakë, C-27J Spartan dhe C-130 Hercules./ata