Pavarësisht emigracionit të lartë të viteve të fundit, veriu vijon të ketë popullsinë më të re në moshë edhe për shkak të tendencë për të lindur më shumë. E kundërta ka ndodhur me Jugun, ku emigracioni më i hershëm e ka plakur më shpejt rajonin.

Investimet në arsim duhen shtuar në Veri, ka më shumë të rinj

Qytetet e Veriut, ndonëse regjistruan rënien më të lartë të popullsisë në periudhën ndërmjet dy censeve kanë sërish një strukturë të popullsisë më të re në moshë se pjesa tjetër e vendit.

Të dhënat nga Censi 2023 në nivel bashkie tregojnë se Hasi dhe Kukësi kanë varësinë më të lartë të të rinjve me 35 vjeç dhe 33% secila.

Në bashkinë e vogël të Hasit, grupmosha 0-14 vjeç përbën 35% të popullsisë në moshë pune 15-65 vjeç. Më tej, në Kamzë, Vorë, Dibër, Krujë, Bulqizë dhe në Kurbin, varësia e të rinjve ishte ndërmjet 26 dhe 29%. Të dhënat mbi popullsinë tregojnë se në këto bashki, shpenzimet e familjeve shkojnë më së shumti për të rritur fëmijët.

Fëmijët në këto bashki janë më të shumtë në numër se të moshuarit mbi 65 vjeç. Politikat për të rinjtë në këto qytete mund të ndijojnë që ato të mos shpopullohen.

Veriu, ndryshe nga Jugu, u prek nga ciklet e forta të emigrimit të jashtëm në dekadën e tretë të tranzicionit, ndaj struktura e familjes ku dominojnë moshat e reja është ende në nivele të larta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

P.sh. në qytetin e Pukës, për shkak të mungesës së një dentisti, vendi po shpopullohet nga familjet që rrisin fëmijë.

Më shumë se sa mundësitë për punë, qytetet e veriut tani janë duke u shpopulluar me shpejtësi nga mungesa e shërbimeve publike.

P.sh. në Prefekturën e Kukësit, me bashkitë e Kukësit dhe Tropojës, shumica e gjimnazeve nuk kanë mësues matematike dhe në lëndët kryesore japin mësim mësues jashtë profilit.

Mungojnë qendrat rinore dhe shërbimet për të rinj, duke bërë që vala e emigracionit të shtohet edhe më tej në dekadën e tretë të tranzicionit, në vend që të ulej.

Të dhëna të tjera tregojnë se qytetet e Veriut, ku kapitali njerëzor varet nga të rinjtë, janë më të varfra nga rajoni i qendrës dhe i Jugut.

Në të kundërt në disa bashki në Jug të vendit, sektori i arsimit po shkon drejt shuarjes pasi grupmosha 14 vjeç ka pësuar tkurrje të fortë ndërmjet dy censeve.

Në 20 bashki të vendit në Jug raporti i varësisë se të rinjve është më pak se 20%

Në një të katërtën e bashkive, në 15 të tilla (Poliçan, Himarë, Pukë, Tepelene, Përmet, Kolonjë, Memaliaj, Delvinë, Konispol, Fushë-Arrëz, Këlcyrë, Dropull, Finiq, Libohovë dhe Pustec ka më pak se 1 fëmijë për secilën.

P.sh. në Bashkinë e Pustecit në rajonin e Juglindjes ka vetëm 152 fëmijë, duke bërë që shumë shpejt kjo bashki të mos ketë nevoja për investime në arsim. Në Bashkinë e Libohovës ka vetëm 312 fëmijë të moshës 0-14 vjeç, duke reduktuar ndjeshëm nevojë për shkolla.

Nga faqja zyrtare e Bashkisë së Libohovës shihet se aktivitetet kryesore në qytet kishin grupet e reja në moshë, të cilat duket se janë me pakicë në këtë njësi vendore.

Me të dhënat e cens 2023 në të gjithë vendin kishte rreth 374 mijë të rinj të moshës 0-14 vjeç, të cilët përbënin 15.5% të popullsisë totale. 26% e kësaj grupmoshe është në Bashkinë e Tiranës dhe 12% në Bashkitë e Durrësit dhe Kamzës.

Në Tiranë, me gjithë investimet në shkolla të reja pas tërmetit të 2019, ende bëhet mësim me turne në shkollat e mëdha 9-vjeçare.

Eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti, thotë se rënia e numrit të të rinjve është reflektuar shumë më herët me rënien e numrit të nxënësve në shkolla në periferi.

“Ne kemi sot ZVA edhe aty ku nuk ka nxënës. Katër drejtoritë e mëdha arsimore rajonale dhe një drejtori e përgjithshme, nuk e justifikojnë aspak realitetin në terren.

Shpenzojmë disa miliona lekë për paga, mirëmbajtje, kancelari, karburant e internet, ndërkohë që me një racionalizim të burimeve njerëzore dhe infrastrukturës sot do të kishim një realitet krejt ndryshe.

Kemi një numër të lartë të nxënësve në klasa kolektive, nuk garantojmë dot transportin në zonat e thella, kemi mungesë infrastrukture rrugore, çka ul interesin e prindërve për shkollën, pasi në peshë vihet siguria e jetës së fëmijës, përpara arsimimit”, tha Mehmeti.

Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në Censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.

Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grupmoshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.

Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%).

Në Jug duhet të rritet gama e shërbimeve për të moshuarit

Në shumicën e bashkive, gama e shërbimeve për të moshuarit duhet të rritet – referojnë të dhënat e reja të cens.

P.sh. në 19 bashki të vendit gati në një tretën varësia e të moshuarve (popullsia mbi +65 vjeç në përqindje të grupmoshës 15-65 vjeç) është mbi 40-64%.

Bashkitë e Himarës, Pustecit, Finiqit, Dropullit kanë varësi të moshave mbi 60%. Kjo do të thotë se të moshuarit mbi 65 vjeç në këto bashki përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë.

Raporti i varësisë së të moshuarve në shkallë kombëtare ishte 30% në shkallë kombëtare, por në të paktën 42 bashki, ky raport është më i lartë se 30%.

Popullsia e Shqipërisë është reduktuar, por ajo është plakur me 7 vite nga viti 2011 në 2023.

Të moshuarit janë në nivele të larta në shumicën e bashkive të vendit në raport me popullsinë banuese, duke sinjalizuar rritjen e shërbimeve ndaj kësaj shtrese në të ardhmen, sidomos me azile dhe me shërbim shëndetësor.

Të dhënat e Censit 2023 referuan se nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona).

Popullsia në moshë pensioni 65+ arriti në 473 mijë persona, sipas cens 2023 me rritje 49% nga censi 2011. Rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët.

Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 të tillë më 2011, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.

Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Grupmoshat në moshë pensioni janë rritur me ritme shumë të larta. Grupmosha 80-84 vjeç ishte grupmosha e dytë me rritjen më të madhe 75% ndërmjet cens 2011 dhe 2023.

Forca e punës, e përqendruar në Tiranë

Popullsia në moshë punë është reduktuar me 18% ndërmjet cens 2011 dhe 2023, por gati një e katërta e saj është e përqendruar në Tiranë.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e Cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grupmoshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç, me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç, me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grupmosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%.

Siç shihet, popullsia në moshë punë në vendin tonë, jo vetëm që është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë, pasi ka rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja të moshave.

Në të gjithë vendin ishin 1,5 milionë persona të moshës 15-65 vjeç që përbëjnë burimin më të madh të forcës së punës, por 403 mijë ose 26% e tyre ishin të përqendruar në Tiranë.

Kjo do të thotë se kryeqyteti ende ka një potencial të lartë në krahasim me rajonet e tjera, pasi zotëron pjesën e luanit në kapitalin njerëzor në moshe pune.

Në renditje vijnë qytetet e mëdha të Durrësit dhe Elbasanit ku jeton 6.4% dhe 4.8% e popullsisë në moshe pune.

Në gjashtë qytetet e mëdha të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Kamzë dhe Fier jeton 53% e popullsisë në moshë pune.

Mosha mesatare e popullsisë në vendin tonë ishte 42,5 vjet me të dhënat e Cens 2023, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011. Shqipëria kishte ritmet më të larta të plakjes në Europë gjatë dekadës së fundit, sipas një krahasimi me të dhënat e Eurostat.

Vitet e fundit, bizneset në të gjithë sektorët e kanë konsideruar mungesën e punonjësve problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete.

Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen. Kjo është dekada e parë që ekonomia dhe bizneset duhet të operojnë me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.

Në vitin 2011, popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) përbënte 68% të popullsisë totale dhe në vitin 2023 përbënte 64% të saj.

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune.

Popullsia e re sugjeron rritje të investimeve në rajonin e qendrës

Të dhënat mbi popullsinë tregojnë se duhet të ulen investimet në banesa të reja dhe të rriten investimet në rajonin Tiranë-Durrës, pasi ndryshe nga rajonet e tjera, popullsia është rritur më tej.

Në 4 vitet e fundit, qeveria i ka përqendruar burimet buxhetore në investime në zonën e Vlorës.

Si një qark me potencial turistik, Vlora duhet të përmirësojë infrastrukturën, por ndërkohë po krijohet një hendek i madh në infrastrukturën e zonës Tiranë-Durrës.

Në këto qytete jeton 31% e popullsisë dhe gjithashtu presin pjesën më të madhe të turistëve. Tani nga Vlora drejt bregut ka tre rrugë alternative.

Nga Vlora në Orikum po bëhet një infrastrukturë krejt e re. Përveç investimeve në Lungomare dhe qendrën e qytetit, pak ditë më parë u vendos të bëhet Bulevardi i Palmave, teksa një aeroport i ri pritet të aktivizohet në dy vitet e ardhshme.

Qyteti i Durrësit, që pret më shumë turistë, ka mungesë të thellë infrastrukturore dhe zona Tiranë-Durrës po përballet me trafik të rënduar në lëvizje.

Ministria e Financave po financon aktualisht një listë me rreth 10,800 projekte shumëvjeçare investimesh, me kosto totale 834 miliardë lekë, ose mbi 8 miliardë euro.

Disa prej projekteve kanë përfunduar dhe të tjera janë në vazhdim. Të përzgjedhura sipas vlerës, në krye të projekteve më të shtrenjta qëndron Rruga e Arbrit me financim buxhetor total 33,8 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar deri në fund të marsit të këtij viti 15,2 miliardë lekë.

Në vend të dytë për nga shuma e financimit buxhetor janë rindërtimi i banesave individuale, me një shumë prej 27 miliardë lekësh. Renditja vijon me segmentet e Rrugës së Kombit nga Rrëshen-Kalimash me 21 miliardë lekë, Tuneli i Llogorasë me 20 miliardë lekë.

Më tej projektet me financimet më të mëdha të viteve të fundit janë kontrata e koncesionit të Rrugës së Kombit, investimet në Unazën e Madhe të Tiranës, investimet në Qukës-Qafë-Plloqë, Kardhiq-Delvinë dhe Korçë-Ersekë, në infrastrukturën e Jugut dhe sidomos në Qarkun e Vlorës.

Inxhinierët e infrastrukturës rrugore referuan se këto projekte investimesh duheshin të ishin zhvilluar, pasi të kishte përfunduar infrastruktura e qendrës nga Thumana në Rrogozhinë dhe nga Durrësi në Tiranë dhe Elbasan me Bypass.

Për më tepër, ekspertët pohojnë se moskontraktimi njëhershëm i këtyre akseve vetëm sa e rëndon situatën, në vend që japë zgjidhje.

Hapja e autostradës Thumanë-Kashar që u ndërtua me koncesion gjatë këtij muaji, në vend të që lehtësojë lëvizjen, e vështirësoi më shumë.

I gjithë trafiku i Veriut shkarkohet në Autostradën Tiranë-Durrës, duke vështirësuar lëvizjen në këtë aks, duke rritur kostot dhe duke mos kursyer kohën.

Fillimi mbrapsht i investimeve në rrugë për të ardhur nga periferia drejt qendrës e ka ndërlikuar më shumë qarkullimin, ka rritur kostot për qytetarët dhe i ka bërë më të vështira zgjidhjet.

Në një kohë që Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar turistik në Mesdhe, mungesa e rrugëve dhe transportit publik të denjë po ndikon për keq edhe turizmin./Shqiptarja