Të paktën 23 persona humbën jetën në një sulm terrorist të kryer nga persona të armatosur kundër pasagjerëve në provincën Balochistan të Pakistanit.

Sipas mediave pakistaneze, persona të armatosur që bllokuan natën rrugën në rajonin Rarasham të rrethit Musakhel, zbritën pasagjerët nga autobusët dhe kamionët, kontrolluan kartat e tyre të identitetit dhe më pas hapën zjarr mbi ta.

Nga sulmi humbën jetën të paktën 23 pasagjerë dhe u dogjën 10 automjete. Thuhet se terroristët vranë pasagjerët që ishin nga Punjabi gjatë kontrollit të identitetit.

Policia dhe ekipet e ndihmës së parë mbërritën në zonë dhe i transferuan trupat dhe të plagosurit në spitalet më të afërta.

Presidenti pakistanez, Asif Ali Zardari dhe kryeministri Shahbaz Sharif dënuan incidentin dhe dhanë një mesazh vendosmërie në luftën kundër terrorizmit. Sharif deklaroi se terroristët do të ndëshkohen.

Kryeministri i Balochistanit, Sarfaraz Bugti dënoi gjithashtu sulmin terrorist që synonte civilët dhe shtoi se terroristët do të kapen.

Një sulm i ngjashëm terrorist ndodhi në lagjen Noshki të Balochistanit në prill dhe 9 pasagjerë që vinin nga Punjab u vranë nga terroristët.

 

- Sulmet terroriste janë shtuar në Pakistan

Sulmet terroriste janë shtuar në Pakistan vitet e fundit. Sulmet veçanërisht janë të përqendruara në provincat e Khyber Pakhtunkhwa dhe Balochistan, të cilat kufizohen me Afganistanin.

Grupet e armatosura, të cilat pretendojnë se mbrojnë të drejtat e grupeve etnike Pashtun dhe Baloch në të dyja provincat, po sulmojnë forcat pakistaneze të sigurisë dhe civilët.

Ndërsa Islamabadi argumenton se talebanët pakistanezë (TTP) janë të pozicionuar në Afganistan dhe organizojnë sulmet e tyre nga atje, administrata afgane i hedh poshtë këto pretendime.

Sulmet e Ushtrisë Çlirimtare të Balochistanit (BLA) janë të dukshme në Balochistan. BLA dëshiron që provinca e Balochistanit të ndahet nga Pakistani ndërsa populli Baloch të qeverisë këtë rajon./aa