Lumi i Vjosës u shpall sot nga qeveria shqiptare si lumi i fundit i egër në Europë, “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë thjesht, “park natyror”.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot pas mbledhjes së qeverisë se, “kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje deri në 12 727 ha që është gjithë sipërfaqe ujore, bregore, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore, të cilat së bashku me të 3 degët e Vjosës, lumi Drino, Bënçë e Shushicë bëjnë atë që sot është parku i parë në Europë, i një lumi të egër siç është lumi i Vjosës”.

 

“Është punë e gjatë që kurorëzohet me këtë akt ligjor, është faza e parë kësaj pune që ka filluar që në fund të 2021. Pas fazës së parë të studimit, që kishte të bënte me parkun natyror është punuar ngushtësisht me shoqatat mjedisore, Unionin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, të cilët edhe na certifikuan në samitin e Montrealit të CO15, të biodiversitetit për standardet ndërkombëtare të arritura për të gjithë procesin e studimit, dhe përgatitjes së këtij parku kombëtar”, nënvizoi Kumbaro.

 

Kumbaro theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me një kompani të njohur botërore në SHBA “Patagonia”,e  cila nënvizoi ministrja, “ka qenë bashkudhëtare në këtë udhëtim, për të avancuar pas kësaj jave, me një fazë të dytë me hartimin e planit të menaxhimit, shumë të domosdoshëm dhe masterplanit të zonës”.

 

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

 

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.