Në sulmin ajror më intensiv të periudhës së fundit të kryer nga Rusia, u vendos në shënjestër infrastruktura energjetike e Ukrainës dhe në të gjithë vendin u shënuan ndërprerje të energjisë elektrike.

Në një deklaratë me shkrim në kanalin Telegram të Administratës Ushtarake të qytetit të Kievit thuhet se sirenat kanë rënë në të gjithë vendin për shkak të kërcënimit të lëshimit të raketës lundruese nga avioni luftarak i ushtrisë ruse i tipit Tu-95.

Sipas burimeve lokale, në disa rajone të vendit janë dëgjuar shpërthime.

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko tha se Rusia ka sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe se situata në sistemin e energjisë është e "rëndë".

Në deklaratën e kompanisë kombëtare ukrainase të energjisë "Ukrenergo" tërhiqet vëmendja se janë shënuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe se punëtorët e energjisë në të gjithë vendin po bëjnë përpjekje për të zgjidhur problemet në kohën më të shkurtër.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se "Në shumë qyteza të kryeqytetit ka ndërprerje të energjisë elektrike. Siç thonë ekspertët, kjo është për shkak të problemeve në të gjithë rrjetin energjetik ukrainas".

Ai theksoi se në një pjesë të qytetit ka patur edhe ndërprerje të ujit.

- Në sulme humbën jetën të paktën 3 persona

Kreu i Administratës Ushtarake të rajonit Zaporizhzhia, Ivan Fedorov tha se një person ku humbur jetën si pasojë e sulmit të kryer nga ushtria ruse.

Gjithashtu një person ka humbur jetën në rajonin Dnipropetrovsk dhe një tjetër në rajonin Volin të Ukrainës.

Më tej thuhet se 5 persona u plagosën në sulmin që ushtria ruse kreu në rajonin Poltava të Ukrainës.

Bashkë me sirenat që filluan të bien në orët e para të mëngjesit në Kiev u vërejt se njerëzit qëndronin në pritje në stacionet e metrove./aa