Në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, të organizuar në Tiranë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, u mbajtën disa panele.
Nën moderimin e gazetarit dhe analistit Blendi Fevziu, paneli me pjesëmarrjen e ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores Majlinda Dhuka, zv.ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, rektores Federica Mogherini, kryetares së Komisionit të Çështjeve Evropiane, Jorida Tabaku, dr. Ioannis Armakolas dhe ambasadorit Ferit Hoxha, diskutoi zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe sfidat e mundësitë që sjellin dinamikat gjeopolitike aktuale.
Pjesëmarrësit theksuan rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur në forcimin e partneritetit strategjik me BE-në dhe e vlerësuan momentin aktual si një mundësi të jashtëzakonshme për të maksimizuar përfitimet nga ky proces.
Ndërsa paneli “Sfidat e Reja të Politikave të Sigurisë: Kufijtë e Kërcënimeve Kibernetike, Keqinformimit dhe Dezinformimit,” mblodhi së bashku ekspertë të fushës mes të cilëve, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, ambasadori për Çështjet Kibernetike Ernst Noorman, ambasadori Ilir Gjoni dhe Remzi Lani, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Medias. Ky panel u moderua nga Igli Tafa, drejtor i përgjithshëm i AKSK-së.
Diskutimet u fokusuan mbi sfidat e sigurisë kibernetike, luftën kundër keqinformimit dhe dezinformimit, si dhe masat që Shqipëria po ndërmerr në bashkëpunim me aleatët dhe NATO-n.
U theksua gjithashtu roli i diplomacisë në forcimin e sigurisë kibernetike dhe rëndësia e edukimit mbi dizinformimin për të përballuar kërcënimet e reja në këtë fushë.
Konferenca e Ambasadorëve u rikthye pas tetë vitesh, ku përgjatë tre ditëve të zhvillimit në Tiranë do të diskutohet mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë shqiptare, si dhe strategjitë e Shqipërisë mbi sigurinë, gjeopolitikën e rajonit, ekonominë, turizmin, kulturën, dhe prioritetin kryesor, integrimin në Bashkimin Europian.
Kryediplomati Igli Hasani ka theksuar se kjo konferencë vjen në një moment kyç – jo vetëm për shkak të angazhimeve gjithnjë e më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare – por edhe ndërsa ndërmarrim hapa konkretë për një shërbim të jashtëm gjithnjë më modern e dinjitoz, përfshirë një Ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe ringritjen e Akademisë Diplomatike.
Ministti Hasani ka falenderuar Kryeministrin Edi Rama, për përkushtimin e tij ndaj politikës sonë të jashtme, si dhe të ftuarën e nderit në sesionin e hapjes së Konferencës, homologen e tij sllovene Tanja Fajon, një mike e vendit tonë dhe mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit./ata