Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar tre ditor për vaksinimin kundër poliomielitit në Gaza.

Në një deklaratë në rrjetet sociale Borrell ka tërhequr vëmendjen në rrezikun e poliomielitit.

"Përhapja e shpejtë e poliomielitit kërcënon fëmijët e Gazës tashmë të dobësuar nga zhvendosja, privimi dhe kequshqyerja", shkroi Borrell duke bërë thirrje për një armëpushim tre ditor që synon vaksinimin, duke përjashtuar negociatat politike në vazhdim në lidhje me armëpushimin.

Ai tërhoqi vëmendjen në nevojën e armëpushimit gjatë kësaj periudhe që Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF të sigurojnë vaksinimin.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në deklaratën e saj më 25 gusht, njoftoi se vaksinat e poliomielitit kishin mbërritur dhe bëri thirrje për presion ndaj Izraelit për të lejuar që këto vaksina të hyjnë në Gaza.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, tha më 23 gusht se problemet e higjienës në Gaza kishin arritur një nivel ekstrem për shkak të problemeve të ujit dhe kanalizimeve dhe se një rast i poliomielitit u zbulua në rajon "për herë të parë pas një kohe 25 vjeçare"./aa