Janë përuruar në Prishtinë rinovimet e Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), investim i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Në përurimin e rinovimit morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në vend dhe punonjës të shëndetësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi vizitoi sallat e rinovuara në Klinikën Emergjente, tha se kostoja e rinovimit ishte rreth 800 mijë euro.

Kurti tha se kjo klinikë i është nënshtruar një rinovimi të tërësishëm dhe tani kushtet e punës janë në anën e mjekëve.

"Më herët mjekët dhe infermierët që kanë qenë në Klinikë Emergjente nuk është dashur të përballen vetëm me rastet urgjente të sëmundjes ose aksidenteve, të gjakderdhjeve dhe minutave të fundit të jetës së njeriut që nuk dihet nëse do të shpëtojë ose jo, por, është dashur të përballen edhe me kushtet e vështira të punës, me vështirësitë e mëdha për ta shpëtuar pacientin. Ndërkaq, tani, kushtet e punës i kanë në anën e tyre", theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti potencoi se po përgatitet ligji për sigurimet shëndetësore, duke u shprehur se kur ato të realizohen, do të ketë kosto shtesë tek qytetarët. Ai tha se brenda këtij viti shpreson që ky ligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

"Kur të bëhen sigurimet shëndetësore, tek qytetari do të ketë një kosto shtesë. Sepse, sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë. Ndërkohë që nuk duhet harruar që në shumicën dërmuese të shërbimeve dhe për kujdesin shëndetësor në Kosovë, paguhet pak, ose fare pak", theksoi Kurti.

Ai tha se buxheti për shëndetësi krahasuar me vitin 2019, sivjet është 50 për qind më i lartë.

Rinovimi në Klinikën Emergjente përfshinë dhoma të rinovuara, hapësirën për triazhim, riorganizimin e sportelit, banjo të rregulluara dhe rritje të numrit të shtretërve./aa