Një kapsulë radioaktive e cila ka humbur gjatë një transportimi në Australinë perëndimore ka shkaktuar alarm nga rrezatimi në të gjithë rajonin, njoftoi gjigandi i minierave Rio Tinto, duke shtuar se çështja po merret "shumë seriozisht".

 

Simon Trott, shefi i divizionit të mineralit të hekurit në Rio Tinto, kërkoi falje për "humbjen" e kapsulës së argjendit e cila përmban Caesium-137. Kapsula mund të emitojë rrezatim të barabartë me 10 rreze X në orë.

 

"Këtë incident e kemi marr shumë seriozisht", tha Trott.

 

“E kuptojmë se kjo është qartësisht shumë shqetësuese dhe na vjen keq për alarmin që ka shkaktuar në komunitetin e Australisë perëndimore”, tha kompania.

 

“Kapsula radioaktive e cila përdoret në miniera humbi gjatë transportit nga veriu i Newman, një qytet i vogël në rajonin e largët Kimberley, në një depo në periferi në verilindje të Perth-it, një distancë prej 1.200 kilometrash”, raportoi ABC News.

 

Kompania shumëkombëshe anglo-australiane, Rio Tinto Group, e themeluar në 1873, është korporata e dytë më e madhe e metaleve dhe minierave në botë.

 

Procesi i transportit u krye nga një kontraktor i angazhuar nga kompania, e cila informoi Rio-n më 25 janar se incidenti ndodhi disa javë më parë pasi u largua nga lokacioni i minierës Gudai-Darri të kompanisë.

 

Gjigandi i minierave gjithashtu ka nisur hetime për të përcaktuar se "si ka ndodhur humbja"./AA