Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha të hënën se në vitin 2027 Shqipëria do të mirëpresë samitin e NATO-s.
Këto komente Rama i bëri gjatë konferencës së ambasadorëve, që po mbahet në Tiranë. Rama tha para ambasadorëve se diplomacia shqiptare tashmë ka hyrë në një dinamikë të re.
“Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mirëpresë liderët e 44 shteteve evropiane – nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi – në samitin e Komunitetit Politik Evropian. Më 2027 do të kemi mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s. Gjëra që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë – që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e t’i besoheshin të tilla role”, deklaroi Rama.
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga NATO-ja në lidhje me njoftimin e Ramës, por nuk mori përgjigje. Samiti i sivjetmë i NATO-s është mbajtur nga 9 deri më 11 korrik në Uashington. Kryeministri Rama tha se objektivi i Qeverisë që drejton është që më 2030, Shqipëria duhet të jetë gati për t’u ulur në tryezën e BE-së. Ai theksoi se “për këtë roli i ambasadorëve është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ngrihet në një nivel të ri”.
Sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e rajonit, Rama tha se është bërë i qartë vizioni i Qeverisë që drejton për të parë drejt së ardhmes dhe për të mos u kthyer te problemet e së shkuarës.
“Leximi i së ardhmes me sytë e së shkuarës nuk na takon. Kjo është qasja e pika kyç, mbi të cilat ngremë marrëdhëniet e ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë e Greqinë. Së shpejti duhet t’i çelim dyert e Ambasadës në Bosnje Hercegovinë”, tha kryeministri Rama.
Në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, Rama tha se është detyrë e Shqipërisë për ta mbështetur “formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
Kreu i Qeverisë shqiptare kërkoi nga ambasadorët t’i kushtojnë më shumë vëmendje diplomacisë ekonomike. Për këtë ai kërkoi që marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit të mos përqendrohen vetëm te vendet e Bashkimit Evropian, por të zgjerohen edhe me Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Azerbajxhanin, Kuvajtin, etj.
Në lidhje me dy shtetet e tjera, Indonezinë dhe Filipinet, kryeministri Rama tha se të gjitha vendet e BE-së janë në kërkim të fuqisë punëtore, ndaj edhe Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë. Konferenca tre ditore “Tirana Diplo 2024” po zhvillohet në kohën kur Qeveria shqiptare po përgatit ndryshime në ligjin për shërbimin e jashtëm. Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, tha se ndryshimet janë në përputhje me sfidat e diplomacisë shqiptare. Në konferencë marrin pjesë ambasadorë dhe konsuj të Shqipërisë në botë. E pranishme është edhe zëvendëskryeministrja e Sllovenisë, Tanja Fajon, gjithashtu ministre e Jashtme./REL