Vendimi i qeverisë izraelite për të financuar grupe të vizituesve për kolonët e paligjshëm në Xhaminë Al-Aksa përfaqëson një "përshkallëzim të rrezikshëm" që mund të provokojë një "luftë fetare", paralajmëroi grupi palestinez Hamas.

Vendimi i qeverisë për të financuar "turet sioniste" është një përshkallëzim i rrezikshëm që rrezikon të ndezë një luftë fetare, "për të cilën pushtuesi dhe mbështetësit e tij mbajnë përgjegjësi", tha Hamasi në një deklaratë.

"Kjo qeveri ekstremiste fashiste po luan me zjarrin, pasi nuk interesohet për pasojat e sjelljes së saj sioniste në shkeljen e shenjtërisë, statusit dhe identitetit të Xhamisë së Bekuar Al-Aksa në popullin tonë arab dhe islamik", thuhet në deklaratën e grupit palestinez.

Dje, transmetuesi publik izraelit KAN tha se zyra e Ministrit të Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, një ministër ekstremist i njohur për të qenë antipalestinez, do të ndajë rreth 540 mijë dollarë për turne me guidë, të cilat pritet të realizohen në javët e ardhshme.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për Radion e Ushtrisë Izraelite dje tha se politika e tij është që "të lejojë hebrenjtë të kryejnë lutje brenda Malit të Tempullit (duke iu referuar Xhamisë Al-Aksa)", duke vënë në dukje se kryeministri Benjamin Netanyahu e dinte politikën e tij përpara se të formonte qeverinë e koalicionit.

Njoftimi vjen pavarësisht pretendimeve të përsëritura nga Netanyahu për të ruajtur status quo-në në Xhaminë Al-Aksa.

Status quo-ja në Xhaminë Al-Aksa është situata që ekzistonte përpara se Izraeli të pushtonte Kudsin Lindor në vitin 1967, sipas së cilës Vakëfi Islamik i Kudsit, i lidhur me Ministrinë Jordaneze të Vakëfeve, është përgjegjës për menaxhimin e punëve të xhamisë.

Megjithatë, në vitin 2003, autoritetet izraelite ndryshuan këtë status duke lejuar kolonët të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa pa miratimin e Vakëfit Islamik, i cili kërkon t'i jepet fund këtyre bastisjeve.

Ben-Gvir pretendoi të hënën se hebrenjtë kanë të drejtë të luten në Xhaminë Al-Aksa, duke thënë se ai do të ndërtonte një sinagogë në këtë lokacion.

Ishte hera e parë që ministri izraelit foli hapur për ndërtimin e një sinagoge brenda Xhamisë Al-Aksa. Megjithatë, ai ka bërë thirrje vazhdimisht në muajt e fundit për lejimin e lutjeve hebreje brenda kompleksit.

Thirrja e tij erdhi mes bastisjeve të përsëritura në kompleks nga kolonët e paligjshëm izraelitë nën mbrojtjen e policisë.

Xhamia Al-Aksa konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë në Islam. Hebrenjtë i referohen zonës si Mali i Tempullit, duke besuar se është vendndodhja e dy tempujve të lashtë hebrenj./aa