Dy persona janë zhdukur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut për shkak të shiut të dendur në Itali.

Reshjet e dendura të shiut, të cilat prej dy ditësh vazhdojnë në zonat veriore dhe qendrore të vendit, kanë shkaktuar përmbytje në disa rajone në jug.

Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, pas shiut të dendur që nisi pasditen e djeshme, një rrëshqitje dheu ndodhi në qytezën Talanico të San Felice a Cancello në rajonin e Campania-s dhe 2 persona u zhdukën. Mësohet se personat e zhdukur ishin një person dhe nëna e tij e moshuar.

Vazhdojnë punimet e zjarrfikësve dhe forcave të sigurisë për gjetjen e të zhdukurve.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale mund të shihet se si përderisa disa shtëpi dhe vende pune u përmbytën në rajonin e Campania-s, disa drejtues mjetesh u bllokuan në rrugë me automjetet e tyre dhe në disa pika pati rrëshqitje dheu.

Në lajmet në mediat italiane thuhet se në qytetet Avellino dhe Irpinia, përmbytje të ngjashme me lumenjtë kanë ndodhur në rrugët e qendrës së qytetit për shkak të shiut të dendur.

Mësohet se në Avellino, ekipet e zjarrfikësve shpëtuan nga vendi ku mbeti i bllokuar nga përmbytjet një fëmijë 12-vjeçar ndërsa ekipet e zjarrfikësve evakuuan disa banorë nga shtëpitë e tyre.

Përderisa në qytetet në fjalë kanë ndodhur dëme materiale, mediat raportuan se banorët e zonës përpiqeshin të pastronin baltën dhe të kullonin ujin.

Departamenti i Mbrojtjes Civile të Kryeministrisë lëshoi një paralajmërim rreziku për 10 provinca një ditë më parë.

Gjithashtu disa terminale në aeroportin "Malpensa" të Milanos u përmbytën të hënën ndërsa rreth 27 fluturime u devijuan në aeroporte të tjera./aa