Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e 23-të e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Shefi organizativ në Partinë Demokratike, Klevis Balliu në fjalën e tij në protestë tha se drejtësia duhet të funksionojë me integritet
Sipas tij, qeveria është përgjegjëse për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria, largimin e njerëzve dhe pagesat për incineratorë inekzistentë që kapin shifrën e 80 mijë eurove në ditë.
Balliu u bëri thirrje qytetarëve, që të mos dorëzohen përballë presioneve të qeverisë dhe drejtësisë së kapur.
Ndërsa anëtarja e këshillit bashkiak të Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, gjatë fjalës së saj para qytetarëve vuri theksin tek kërkesa e llogarisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkisë së Tiranës për shpërdorimin dhe vjedhjen e taksave të tyre.
Jonathan Pano, anëtar i Këshillit Bashkiak, në fjalën e tij theksoi se, as këtë verë, njësoj si verën e kaluar, qytetarët në nevojë të Tiranës, nuk e morën dot bonusin e qerave dhe ndihmën sociale gjatë muajit gusht, dhe kjo për shkak të neglizhencës nga bashkia.
Ndërsa kryetari i FRPD-së, Besart Xhaferri, në fjalën e tij u shpreh se shumë drejtorë janë të korruputuar dhe duhen arrestuar para se të arratisen jashtë vendit.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëkohësisht drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi, në fjalën e tij në protestë u shpreh se duhen thënë disa të vërteta për SPAK-un.
“Pa paragjykim, pa paramenduar asgjë, vetëm bazuar në fakte. Altin Dumani para dy muajsh tha se disa prej krimeve të kryera nga zyrtarët e shtetit shqiptar, janë krime intelektuale. Si mund të quash krim intelektual firmën e Kryeministrit për një bonus 8 për qind, 8 muaj para se kompania të hapej”, u shpreh ai.
Protesta, përveç bllokimit të disa segmenteve rrugore, kaloi pa incidente./ata