Mbi 100 aktivitete janë organizuar për fëmijë dhe të rritur në pjesë të ndryshme të Tiranës. Kështu ka deklaruar sot kryebashkiaku Erion Veliaj teksa ka uruar festën.

 

“Kjo do jetë një ditë plot me aktivitete. Ne do të bëjmë disa aktivitete që le të themi janë pak më të mëdha. Janë 100 aktivitete të ndryshme. Koncerti i Enisës do të jetë rreth orës 13.00, pra përpara drekës në sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që banda e qytetit sa filloi rrugëtimin e vet dhe është tek kodrat e Liqenit. Do të kemi disa aktivitete sportive. Kemi ftuar të gjithë artizanët dhe natën do e mbyllim me një shfaqje dronësh në Liqenin e Tiranës. Gjithë ajo pista që më parë përdorej për koncertin, festivalin e Sunny Hill është platforma nga ku do ngrihen 500-600 dronë për të provuar diçka ndryshe në Tiranë e për të sjellë gjithmonë një surprizë”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku tha se sot është një ditë reflektimi dhe mesazhi që duhet përcjellë është bashkimi dhe jo përçarja sepse vetëm kështu mund të çohet përpara ky qytet.

 

“Sot është patjetër një ditë për gëzim por është edhe një ditë për reflektim. Ne kemi në dorë vetë të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak, të përqafohemi më shumë dhe të çirremi më pak; të punojmë më shumë dhe të flasim më pak. Besoj që kjo stinë e re është edhe një kujtesë që kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme; kur i vëmë stërkëmbësha njerit tjetrit, pengojmë njeri tjetrin, vetëm humbasim kohë të çmuar. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë për t’i bashkuar njerëzit. E di që po i afrohemi fushatës, njerëzit kanë bindjen e tyre politike por ajo një ditë është. Në 364 ditët e tjera duhet të punojmë, të punojmë, t’i bashkojmë njerëzit e ta çojmë qytetin përpara. Gëzuar, paçi vetëm ditë të mira dhe do të shihemi gjatë ditës në disa stacione dhe shpresoj shumë që të gjithë të kalojmë mirë, pa asnjë incident dhe më duket që të gjithë pavarësisht se nga vijnë kanë ardhur me mendjen për të kaluar mirë dhe për të rizbuluar dashurinë për qytetin dhe njeri tjetrin”, tha Veliaj.